Inflacioni pa përfshirë ushqimet ulet për tretin muaj radhazi, efekti nga qiratë
Inflacioni bazë ra në 2.37 për qind në shtator, nga 2.78 për qind në gusht, ndikuar kryesisht nga qiratë.

Inflacioni bazë në Shqipëri ka shënuar rënie për të tretin muaj radhazi gjatë shtatorit 2026, duke reflektuar një ngadalësim të presioneve më të qëndrueshme mbi çmimet në ekonomi. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, inflacioni vjetor bazë zbriti në 2.37 për qind, nga 2.78 për qind që ishte në muajin gusht.
Për të dytin muaj radhazi, ky tregues regjistroi rënie edhe në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur inflacioni bazë ishte në nivelin 3.07 për qind. Për herë të parë pas shumë vitesh, inflacioni bazë ka qëndruar për tre muaj radhazi poshtë inflacionit total në ekonomi, i cili në shtator arriti në 2.9 për qind.
Rënia e inflacionit bazë gjatë muajve të fundit është ndikuar veçanërisht nga efekti i bazës krahasuese në nëngrupin e qirave, i cili ka dhënë një nga kontributet kryesore në rritjen e këtij treguesi gjatë viteve të fundit. Në shtator, inflacioni i qirave zbriti në 3.3 për qind, nga 6.6 për qind që ishte një vit më parë.
Ngadalësimi lidhet me përfundimin e ciklit 12-mujor të krahasimit, pasi që prej sezonit veror të vitit 2025, inflacioni i qirave kishte shënuar një përshpejtim të ndjeshëm.
Çfarë është inflacioni bazë dhe si llogaritet?
Inflacioni bazë mat ndryshimin e çmimeve për një grup produktesh dhe shërbimesh që përbëjnë 69.8 për qind të shportës së përgjithshme të Indeksit të Çmimeve të Konsumit (IÇK).
Ky tregues përjashton produktet që karakterizohen nga luhatshmëri e lartë e çmimeve, kryesisht disa kategori ushqimore dhe energjetike. Qëllimi është të veçohen ndikimet afatshkurtra nga tendencat më të qëndrueshme të rritjes së çmimeve.
Për këtë arsye, inflacioni bazë konsiderohet një tregues i rëndësishëm për vlerësimin e zhvillimeve afatgjata të çmimeve dhe monitorohet vazhdimisht nga Banka e Shqipërisë në kuadër të politikës monetare.
Inflacioni bazë neto zbret në 2.23 për qind, në rënie edhe çmimet pa ushqime dhe energji
Paralelisht me inflacionin bazë, edhe inflacioni bazë neto ka shënuar një rënie të ndjeshme për të dytin muaj radhazi. Në shtator 2026, ky tregues zbriti në 2.23 për qind, nga 2.85 për qind në gusht dhe 3.4 për qind në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Inflacioni bazë neto përjashton nga përllogaritja edhe nëngrupet e ushqimeve të përpunuara, përfshirë bukën dhe drithërat. Ai matet mbi një grup produktesh dhe shërbimesh që përfaqësojnë 49 për qind të shportës së Indeksit të Çmimeve të Konsumit.
Ndërkohë, inflacioni që përjashton të gjitha produktet ushqimore dhe energjetike ra në 2.21 për qind në shtator, nga 2.8 për qind në gusht. Edhe në krahasim vjetor, ky tregues ka shënuar rënie, nga niveli 3.28 për qind ku qëndronte në shtator të vitit 2025.
Këto zhvillime tregojnë se presionet inflacioniste që lidhen me komponentët më të qëndrueshëm të shportës së konsumit janë zbutur gjatë muajve të fundit.
Karburantet mbeten rrezik për çmimet, Banka e Shqipërisë paralajmëron rritje të mundshme të interesave
Megjithëse ulja e inflacionit bazë ka lehtësuar për momentin presionet mbi ekonominë, rreziqet inflacioniste mbeten të larta, kryesisht për shkak të shtrenjtimit të karburanteve si pasojë e tensioneve gjeopolitike globale.
Çmimet e larta të produkteve energjetike, të cilat kanë vijuar për një periudhë të gjatë që prej muajit mars 2026, mund të përcillen gradualisht në kostot e prodhimit dhe të transportit. Kjo mund të ndikojë në rritjen e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve gjatë muajve në vijim.
Deri më tani, presionet e jashtme inflacioniste vlerësohet se janë amortizuar pjesërisht nga forcimi i lekut në kursin e këmbimit valutor, duke kufizuar ndikimin e shtrenjtimit të produkteve të importuara në tregun vendas.
Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë paralajmëroi pas mbledhjes së këtij muaji se mundësia e një rritjeje të normave të interesit po bëhet gjithnjë e më e madhe.
Kështu, pavarësisht rënies së inflacionit bazë për të tretin muaj radhazi, zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe ndikimi i tyre në kostot e brendshme mbeten faktorë të rëndësishëm për ecurinë e çmimeve dhe vendimmarrjen e ardhshme të politikës monetare.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)